BRAKTISJA E FEMIJES SE MITUR

Prindër dhe kujdestarë ligjorë, braktisja e fëmijës së mitur është vepër penale dhe dënohet respektivisht nga ligji penal. Zakonisht me braktisje nënkuptohet praktika e braktisjes fizike të fëmijës, lënies diku të tyre fizikisht dhe largimit të prindit pa e kthyer më kokën pas duke shkëputur kështu çdo lloj marrëdhënie me fëmijën.
Por, të braktisësh fëmijën e mitur nuk do të thotë vetëm ta lësh atë fizikisht diku pa pasur parasysh sigurinë fizike të tij, shëndetin, mirëqënien e tij dhe më pas të largohesh pa lënë asnjë gjurmë.

Çfarë kuptimi ka braktisja ?
Të braktisësh do të thotë të largohesh nga një vend apo nga dikush përgjithnjë. Të heqësh dorë apo ti kthesh krahët një pune, një vendi apo një personi.

Çdo të thotë të braktisësh një fëmijë?!
Të braktisësh një fëmijë do të thotë të heqësh dorë nga detyrimi parësor që mbart një prind kundrejt një pasardhësi të tij: atë të kujdesit kundrejt tyre. Të kujdesesh për një fëmijë nuk është vetëm një rregull i pashkruar por, përpos të tjerave është një detyrim ligjor, mosrespektimi i të cilit mbart sanksione ligjore penale. Çfarë duhet të keni parasysh kur flitet për braktisjen e fëmijëve?! Konsiderohet se keni braktisur fëmijën tuaj edhe kur neglizhoni nevojat e tij emocionale dhe shpirtërore për një periudhë të gjatë kohore. Keni braktisur fëmijën tuaj kur nuk keni treguar kujdesin më minimal kundrejt tyre edhe pse ata mund të jenë duke jetuar me ju, në të njëjtin vend apo shtëpi. Konsiderohet se keni braktisur fëmijën tuaj kur për një periudhë të gjatë kohore dhe pas asnjë shkak, nuk jeni takuar me të dhe nuk keni qëndruar me të fizikisht apo nuk keni qënë prezent në asnjë lloj forme për ta mbështetur atë emocionalisht gjatë rritjes së tij.