Dhuna në familje është një fenomen social, global dhe gjendet në të gjitha kulturat dhe shoqëritë anembanë botës. Ky fenomen ndikon negativisht në integritetin fizik, psikologjik social dhe ekonomik të pjestarëve të familjes dhe shoqërisë veçanërisht pjesës më të ndjeshme të tyre si fëmijët, gratë dhe të moshuarit. Zakonisht e gjejmë këtë fenomen pas dyerve të mbyllura të shtëpisë. I shoqëruar edhe nga ndjenja të inferioritetit dhe turpit shpesh herë as nuk pranohet, as nuk diskutohet dhe mbi të gjitha nuk denoncohet. Në shoqërinë shqiptare  është një fenomen të cilin e hasim shpesh në përditshmërinë tonë, e dimë që është i dënueshëm e megjithatë shpesh herë kur ndodhemi në situata dhune nuk dimë sesi të veprojmë.

Sëpari le të kuptojmë se çfarë është dhuna dhe cilat janë llojet e saj?!

Dhuna është ushtrimi i forcës a shtrëngimi me mjete e me mënyra të vrazhda ndaj dikujt. Rrahja është një nga format më të shpeshta  të dhunës që mund të hasim në përditshmëri. Kjo është edhe arsyeja se pse neni 130/a i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë e nis këtë vepër pikërisht me këtë formë të dhunës. Sipas këtij neni dhuna në familje është rrahja, si dhe çdo vepër tjetër dhune fizike dhe psikologjike e cila ka si pasojë cënimin e integritetit fizik, psiko-social dhe ekonomik të individit ndaj të cilit ushtrohet.

Llojet e dhunës janë: dhuna fizike, dhuna psikologjike, dhuna ekonomike dhe ajo seksuale.

Dhuna fizike përfshin por pa u kufizuar në: çjerrjen, shtyrjen, goditjen me shuplaka ose me mjete të tjera, kapjen, përdredhjen e krahut/krahëve, rrahjen, pickimet, shkuljen e flokëve, gjuajtjen, tërheqjen zvarrë, djegien, therjen, mbytjen,shpimin dhe asfiksimin. Dhuna fizike është përdorimi i madhësisë dhe forcës fizike të një personi ose përdorimi i armëve si thika, pistoleta apo mjete të tjera për të marrë dhe për të ruajtur kontrrollin e një personi tjetër. Gjatë ushtrimit të dhunës mund të rezultojnë dëmtime dhe lëndime si dhe mund të shkaktohet vdekja e personit.

Dhuna psikologjike përfshin, por pa u kufizuar, edhe abuzimin emocional dhe atë psikologjik. Në lidhje me abuzimin emocional përmendim shkatërrimin e vetbesimit, vetvlerësimit të një personi. Kritikat e vazhdueshme, poshtërimet dhe uljen e vazhdueshme, sharjet dhe përçmimin e aftësive, degradimin si dhe dëmtimin e marrëdhënieve të personit me antarët e tjerë të familjes dhe ose fëmijët e tij apo saj. Në lidhje me abuzimin psikologjik përmendim shkaktimin e frikës apo trembjes së personit, kërcënimin për dëmtimin fizik të vetës apo partnerit, fëmijës apo familjarëve dhe miqve të tjerë. Gjithashtu përfshihet kërcënimi për braktisje, për shkatërrim të pronës, marrje të kujdestarisë së fëmijëve, marrjes ose vrasjes së kafshëve shtëpiake. Përfshihet kërcënimi për izolim, mosdërgim në shkollë, moslejimi i pasjes së miqve, mosdhënia e parave apo mohimi i mbështetjes ekonomike.

Dhuna ekonomike përfshin kontrrollin deri në detaje të shpenzimeve, vënien në varësi ekonomike të partnerit/partneres apo familjarëve të tjerë, ndalimin e punësimit të tyre, mosdhënia e mjeteve monetare për një jetesë normale.

Dhuna seksuale në kontekstin e dhunës në familje është abuzimi seksual në çfarëdo forme dhe mënyre nga antarët e familjes ose partnerët intimë, në kontekstin e martesës dhe të marrëdhënieve dashurore. Përfshin dhe manifestohet në imponimin e partnerit për kryerjen e marrëdhënieve seksuale pa pëlqimin e tyre. Edhe imponimi, detyrimi apo përpjekja për të detyruar kontakt apo marrëdhënie seksuale me partnerin gjithashtu konsiderohet dhunë seksuale. Abuzimi seksual përfshin gjithashtu edhe sulmet në pjesët intime, seksuale të partnerit apo partneres, detyrimin e kryerjes së marrdhënieve seksuale pasi është ushtruar dhunë fizike si dhe poshtërimi apo trajtimi i partnerit në mënyrë seksualisht poshtëruese.

Kush janë pjestarët e familjes që mbrohen nga ligji?

Bashkëshortët / ish-bashkëshortët
Bashkëjetuesit/ ish-bashkëjetuesit
Gjinia e afërt si nëna, babai, djali, vazja, gjyshi, gjyshja, nipër, mbesa, vëllezërit, motrat, ungjër, emta, fëmijë të vëllezërve dhe të motrave
Krushqi e afërt si vjehërr, vjehrrë, dhëndër, nuse, kunat/ë, thjeshtri, thjeshtra, njerku e njerka
Personat në lidhje apo ish-lidhje intime

 

Çfarë duhet të bëjmë nëse gjendemi në një situatë dhune në familje?

Nuk është aspak e lehtë të gjendesh në një situatë dhune për më tepër kur dëshmon të ndodhë në familje, por është shumë e rëndësishme të njohim të tilla situata dhe të dimë sesi të veprojmë dhe sesi të sillemi. Dhuna manifestohet në shumë forma dhe situatat mund të jenë të ndryshme për çdo rast. Të telefonosh policinë për të të ardhur në mbrojtje ose për ti ardhur një pjestari të familjes në mbrojtje është hapi i parë dhe më i rëndësishmi.  Nëse dhuna është duke u ushtruar kundrejt nesh për çdo rast duhet të tentojmë të vetmbrohemi aq sa mundemi dhe maksimalisht të kërkojmë ndihmë. Të vetëmbrohesh është një e drejtë dhe ju duhet ta ushtroni këtë të drejtë për aq sa mundeni në situatën ku ndodheni. Nëse dëshmojmë dhunë të vazhdueshme në familje, nuk duhet të qëndrojmë pasivë dhe as nuk duhet të ushqejmë iluzione se do të ndërpritet një ditë dhe dhunuesit do të ndryshojnë. Menjëherë duhet ta raportojmë dhunën në komisariatin më të afërt dhe duhet të kërkojmë dokumentimin e dhunës me raporte mjekoligjore ose të psikologut për të pasqyruar gjëndjen psikosociale.

Pse duhet të na kontaktoni?

Gjëndja emocionale në të cilën ndodhemi dhe ajo në të cilën përfshihemi kur jemi duke kallëzuar dikë për dhunë shpesh herë na pengon të jemi objektivë. Nuk e dimë çfarë do të ndodhë, sa kohë do presim, ku duhet të shkojmë dhe çfarë duhet të bëjmë. Nuk e dimë nëse ajo që po bëjmë, letrat që po firmosim janë në rregull. Nuk e dimë se kjo situatë do mbarojë dhe nuk e dimë nëse kjo që po bëjmë na garanton mbrojtje më vonë. Përfaqësimi me një avokat ju heq nga shpatullat këtë lloj barre ku ju mendoni vazhdimisht se çdo të bëni më pas. Ne sigurojmë që të gjitha të drejtat tuaja të respektohen dhe të gjitha veprimet ligjore të kryhen me përpikmëri ndërsa ju mund të fokusoheni në shërimin tuaj dhe në tejkalimin e kësaj situate.