Legalizimi

 Koncepti i legalizimit është prezantuar nga shteti shqiptar si një formë apo një mënyrë nëpërmjet të cilës ndërtimet pa leje të ndërtuara nga  qytetarët shqiptarë kryesisht pas viteve 1990 të mund të regjistrohen dhe të qytetarët të pajisen me dokumentacionin e pronësisë.  Ky proces filloi në vitin 2006 dhe vazhdon ende sot.  Kur duam të legalizojmë pronën, kryesisht shtëpinë e banimit,  ajo që  duam të bëjmë në fakt është regjistrimi i shtëpisë dhe marrja e certifikatës së pronës. Risku më i madh që duam të shmangim është shembja e shtëpisë. Gjithashtu kemi kuptuar se një pronë pa letra është në fakt një pronë që nuk të shërben ekonomikisht dhe nuk të sjell të ardhura.  Minimalisht nuk mund ta shisni për të përfituar të ardhura. Prandaj, të gjithë qytetarët që kanë ndërtuar pa lejen e institucioneve përkatëse i nënshtrohen procesit të legalizimit.

Ligjit 20/2020 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë” e përkufizon legalizimin si proces administrative-ligjor që kryen Agjensia Shtetërore e Kadastrës, për plotësimin  dhe regjistrimin e titujve  të pronësisë për ndërtimet pa leje. 

Çfarë është një ndërtim pa leje?

Një ndërtim pa leje është  ndërtimi i lidhur në mënyrë të vazhdueshme e të qëndrueshme me tokën os eme ndërtesa të tjera dhe që është  bërë pas datës 10.08.1991. Ndërtimet pa leje janë dy llojesh:

Objekte, pavarësisht funksionit që kanë, të bëra pa marrë një leje ndërtimi nga institucionet përkatëse dhe  shtesa të bëra në objekte ekzistuese të regjistruara.

Objekte që kanë një leje ndërtimi, por që nuk janë regjistruar dhe kanë shkelur  dhe kanë tejkaluar afatet e përcaktuara në leje,  kanë shtesa në tejkalim të lejës së ndërtimit apo ndryshime të funksionit  të hapësirave.

Cilat janë ato objekte që nuk legalizohen dhe si veprohet me to?

Një ndërtim pa leje nuk legalizohet nëse cënon:

  1. Vepra kryesore të infrastrukturës publike;
  2. Akse rrugore kombëtare;
  3. Territorin apo funksionalitetin e një ndërtese publike;
  4. Integritetin e pasurive kulturore material dhe muzetë;
  5. Territore të destinuara për investime strategjike;
  6. Vijën bregdetare të Republikës së Shqipërisë;

Këto ndërtime nuk legalizohen por, regjistrohen në bazën e të dhënave të ASHK-së vetëm për efekt njohje të vlerës së investimit të ndërtimit. Poseduesit e këtyre ndërtimeve  janë përfitues të formave të ndryshme të trajtimit nga shteti shqiptar.

Procesi i legalizimit është një proces që për shumë qytetarë të vendit vazhdon ende edhe sot.  Nëse keni hasur në probleme gjatë këtij procesi, iu janë kërkuar dokumentacione apo letra  të tjera, nuk keni informacion se çfarë bëhet më aplikimin dhe dosjen tuaj si dhe për çdo problematikë tjetër  që keni hasur  gjatë legalizmit të objektit apo shtëpisë suaj  paraqituni pranë zyrës sonë. Ju ndihmojmë me procesin dhe dokumentacionin si dhe ju përfaqësojmë përballë administratës publike.