Kontrata Martesore dhe pasuria gjatë bashkëjetesës.

Pas përgjegjesisë prindërore, një nga elementët më kyç në mbarimin e martesës dhe bashkëjetesës është edhe pasuria. Si do të ndahet ajo ?! Kur vjen momenti i ndarjes mes një çifti një nga gjërat që diskutohet është edhe pasuria kjo pasi shpesh herë nuk ka një regjim pasuror të ndarë mes bashkëshortëve apo bashkëjetuesve. Kjo do të thotë që pasuritë e fituara gjatë martesës konsiderohen të përbashkëta. Akoma më e komplikuar paraqitet bashkëjetesa kur partnerët nuk kanë vendosur rregulla mbi fitimin, pronësinë dhe administrimin e pasurive të tyre. Prandaj është shumë e rëndësishme që minimalisht të realizohet një konsultë me një avokat përsa i përket regjimit pasuror përpara lidhjes së martesës, gjatë saj dhe pas mbarimit të saj.

Kontrata martesore është një akt noterial i cili rregullon regjimin pasuror martesor midis bashkëshortëve në përputhje me Kodin e Familjes dhe legjislacionin përkatës. Mungesa e kontratës martesore nënkupton se bashkëshortët do të konsiderohen kundrejt të tretëve si të martuar nën regjimin pasuror martesor të bashkësisë ligjore.

Çfarë rregullon kontrata martesore?

Kontrata martesore është një marrëveshje e veçantë e lidhur midis dy bashkëshortëve, të cilët me vullnetin e tyre të lirë përcaktojnë regjimin pasuror që ata dëshirojnë. Thënë më thjesht me kontratën martesore bashkëshortët vendosin vetë nëse do të bashkojnë pasuritë e tyre aktuale apo do ti mbajnë të ndara ato, do jenë bashkëpronarë në të ardhmen për çdo pasuri të fituar apo gjithsecili do të jetë pronar i asaj që fiton, do kenë llogari të përbashkëta me aksesin e të dyve apo secili do të ketë llogaritë e veta etj. Bashkëshortët mund të vendosin për çdo gjë që ka të bëjë me pasuritë e tyre por, në asnjë rast marrveshja e veçantë nuk mund të vijë në kundërshtim me Kodin e familjes dhe legjislacionin përkatës.

Cilat janë disa rregullime që marrëveshja e veçantë nuk mund ti shmangë?!

Me marrëveshje të veçantë nuk mund të shmangen të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin nga martesa. Gjithashtu nuk mund të shmanget administrimi ligjor, kujdestaria ligjore dhe përgjegjësia prindërore.

Na kontaktoni për të lënë një konsulencë me ne lidhur me kontratën martesore si dhe detaje të tjera mbi regjimet martesore.